Secondary Adv

Lidl drejt hapjes së parë në Shqipëri, e konfirmon edhe Kryeministri

Rrjeti gjerman i supermarketeve Lidl pritet të hapë së shpejti pikën e parë në Shqipëri.

Hyrja e një prej rrjeteve më të mëdha evropiane të shitjes me pakicë, Lidl, në tregun shqiptar po hyn në fazën finale, duke sinjalizuar një nga zhvillimet më të rëndësishme për sektorin retail në vend. Kryeministri Edi Rama konfirmoi gjatë eventit Match-Maker Albania se kompania gjermane është duke përmbyllur përgatitjet dhe pritet të inaugurojë shumë shpejt pikën e saj të parë.

 

Sipas Ramës, përfaqësuesit e Lidl janë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare për të finalizuar hyrjen në treg, duke theksuar se investime të tilla sjellin standarde të reja dhe rrisin cilësinë e shërbimeve për konsumatorët. “Njerëzit e Lidl që janë këtu, po punojnë me ne dhe shpejt do të çelin objektin e tyre të parë”, u shpreh ai, duke e cilësuar këtë zhvillim si një sinjal pozitiv për klimën e investimeve në Shqipëri.

 

Investimi dhe qendra logjistike në Durrës

Projekti i Lidl në Shqipëri është i strukturuar prej kohësh dhe në prill 2025 ka marrë statusin “Investitor Strategjik – Procedurë e Veçantë” nga Komiteti i Investimeve Strategjike. Ai parashikon një investim mbi 105 milionë euro dhe përfshin ndërtimin e një qendre logjistike moderne në zonën e Porto Romanos në Durrës, brenda projektit të ri të Portit Tregtar të Integruar.

 

Qendra logjistike, e planifikuar në një sipërfaqe prej rreth 200 mijë metrash katrorë, do të shërbejë si nyja kryesore për magazinimin dhe shpërndarjen e produkteve, duke mbështetur jo vetëm tregun vendas, por edhe një rol më të gjerë rajonal në furnizim dhe eksport.

 

Ndikimi në treg dhe punësim

Përveç ndërtimit të infrastrukturës, kompania planifikon edhe zhvillimin e një rrjeti të gjerë supermarketesh në Shqipëri, duke hyrë drejtpërdrejt në konkurrencë me operatorët ekzistues të tregut. Sipas planit, investimi pritet të krijojë rreth 2,500 vende pune, me ndikim të drejtpërdrejtë në tregun e punës, veçanërisht në zonat e Durrësit dhe Tiranës.

 

Aktualisht, kompania ka nisur procesin e rekrutimit, fillimisht për stafin menaxherial, ndërsa me hapjen e supermarketeve pritet të shtohet edhe punësimi në nivele të tjera.

 

Efektet ekonomike në tregun shqiptar

Hyrja e Lidl pritet të sjellë disa efekte zinxhir në tregun e pakicës në Shqipëri, duke rritur konkurrencën dhe duke ushtruar presion mbi çmimet, ndërsa njëkohësisht pritet të përmirësojë standardet e furnizimit dhe logjistikës. Përfshirja e prodhuesve vendas në rrjetin e furnizimit të një marke ndërkombëtare mund të hapë gjithashtu mundësi të reja për eksport dhe zhvillim të mëtejshëm të industrisë vendase.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat